Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur një gjuhë të paprecedentë dhe fyese ndaj udhëheqësve evropianë, duke i quajtur ata “derra”, gjatë një takimi me krerët e ushtrisë ruse dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Duke iu referuar administratës amerikane të drejtuar nga ish-presidenti Joe Biden, Putin deklaroi se ajo, së bashku me aleatët evropianë, ishte e bindur se do ta shkatërronte shpejt Rusinë pas nisjes së luftës në Ukrainë.
“Derra evropianë iu bashkuan menjëherë administratës Biden, me shpresën se do të përfitonin nga kolapsi i vendit tonë, duke rikuperuar atë që kishin humbur historikisht dhe duke u përpjekur të hakmerreshin”, u shpreh Putin.
Kreu i Kremlinit shtoi se Evropa shpresonte në rrëzimin ekonomik dhe politik të Rusisë, por sipas tij, këto përllogaritje kanë dështuar. Ai theksoi se Moska nuk e përjashton dialogun me vendet evropiane, por kjo, sipas tij, është e pamundur me elitën aktuale politike në pushtet.
“Dialogu me Evropën është i pamundur me këtë klasë politike. Vetëm pas ndryshimit të saj mund të flitet seriozisht”, deklaroi Putin.
Në vijim të fjalës së tij, presidenti rus u ndal edhe te periudha pas rënies së Bashkimit Sovjetik, duke thënë se Rusia kishte shpresuar të bëhej pjesë e asaj që ai e quajti “familja perëndimore e qytetëruar”.
“Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, na dukej se do të bëheshim pjesë e familjes së popujve evropianë të civilizuar. Sot rezulton se atje nuk ka më qytetërim, por vetëm degradim të plotë”, u shpreh ai.
Deklaratat e Putinit vijnë në një moment tensionesh të larta gjeopolitike mes Rusisë dhe Perëndimit, ndërsa lufta në Ukrainë vijon dhe marrëdhëniet mes Moskës dhe kryeqyteteve evropiane mbeten në nivelin më të ulët të dekadave të fundit.
