Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuara normat e interesit, duke lënë normën bazë në nivelin 2.5%, bëri të ditur guvernatori Gent Sejko në konferencën për shtyp të datës 17 dhjetor 2025.
Sipas Sejkos, Këshilli Mbikëqyrës i BSH vendosi gjithashtu të mbajë të pandryshuara edhe dy normat e tjera:
- Norma e depozitës njëditore: 1.5%
- Norma e kredisë njëditore: 3.5%
Guvernatori theksoi se ekonomia shqiptare ka vijuar një trajektore pozitive gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025, duke u reflektuar në rritje solide, stabilitet financiar dhe inflacion të kontrolluar.
“Informacioni i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të ndjekë një trajektore pozitive zhvillimi… me rritje solide të aktivitetit ekonomik, mbajtje të inflacionit nën kontroll dhe konsolidim të treguesve kryesorë ekonomikë e financiarë”, deklaroi Sejko.
Rritja ekonomike “mori ritëm” – turizmi +22%
Sejko nënvizoi se pas rritjes 3.6% në gjashtëmujorin e parë, ekonomia ka vijuar me ritme të ngjashme edhe në pjesën e dytë të vitit.
Ai veçoi si faktorë kryesorë:
- rritjen e konsumit,
- investimeve,
- dhe eksporteve të shërbimeve.
Në mënyrë të veçantë, guvernatori theksoi se turizmi mbetet një motor i rëndësishëm i ekonomisë, me rritje rreth 22% të shërbimeve turistike në tremujorin e tretë.
Tregu i punës përmirësohet: Papunësia 8.1%, paga +9.8%
Një tjetër tregues i rëndësishëm, sipas Bankës së Shqipërisë, është përmirësimi i tregut të punës:
- Papunësia zbriti në 8.1%
- Pagat në sektorin privat u rritën me 9.8%
Sejko tha se deri tani rritja e pagave ka ndihmuar fuqinë blerëse, pa krijuar presione shtesë inflacioniste, por paralajmëroi se mungesa e fuqisë punëtore mund të mbajë nën presion tregun.
Inflacioni drejt 3% në 2026
Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni do të kthehet në objektivin 3% gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, nëse nuk do të ketë goditje të forta nga oferta.
“Ky kthim do të mbështetet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare, moderimi i mbiçmimit të Lekut dhe qëndrueshmëria e presioneve të brendshme”, u shpreh Sejko.
Guvernatori shtoi se rreziqet mbeten të balancuara, por tensionet gjeopolitike mund të sjellin rritje të inflacionit, ndërsa ngadalësimi i ekonomive partnere mund të veprojë në kahun e kundërt.
