Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor avokatin Bardhi Koçi, i akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe qytetaren Pranvera Meshi, e cila i dha para për të ndikuar te gjyqtarët.
Dënimet e dhëna nga GJKKO
Sipas vendimit të dhënë këtë të martë, avokati Bardhi Koçi u dënua fillimisht me 2 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 1 vit e 8 muaj burg. Gjykata vendosi pezullimin e dënimit, duke e lënë Koçin në shërbim prove për 3 vite e 4 muaj, me kusht që të mos kryejë vepra të tjera penale.
Po ashtu, GJKKO vendosi heqjen e të drejtës për ushtrimin e profesionit të avokatit për 3 vite, ndërsa iu hoq edhe masa e sigurimit “detyrim paraqitje”.
Qytetarja Pranvera Meshi u dënua me 1 vit burg, që pas gjykimit të shkurtuar u reduktua në 8 muaj burg, por edhe për të gjykata vendosi pezullimin e dënimit, duke e përjashtuar nga vuajtja e tij dhe duke i hequr masën e sigurimit.
Skema e korrupsionit sipas SPAK
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Bardhi Koçi ka kërkuar dhe përfituar para në disa raste, duke pretenduar se do të ndërhynte te gjyqtarë dhe funksionarë të drejtësisë për të favorizuar palë të ndryshme në procese gjyqësore.
Në një nga episodet kryesore, Koçi i kërkoi 1 500 euro Pranvera Meshit dhe përfitoi 1 000 euro, me qëllim ndikimin në vendimin e një gjyqtari të Gjykatës së Tiranës, ku Meshi po gjykohej për falsifikim të dokumenteve shëndetësore.
Në një tjetër rast, avokati kërkoi 1 300 euro nga shtetasi A.M., duke pretenduar ndikim te dy funksionarë të drejtësisë për një çështje penale që lidhej me një shtetase të arrestuar për drejtim automjeti në mënyrë të parregullt.
Gjithashtu, SPAK provoi se Koçi kishte përfituar para edhe nga shtetasi R.G., për të ndikuar në përpilimin e një akti ekspertimi kimik në Institutin e Policisë Shkencore, në lidhje me një sasi lënde narkotike të sekuestruar.
Vendimi i plotë i GJKKO
Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar dhe trupa gjykuese e përbërë nga Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Elsa Ulliri e cilësoi Koçin fajtor në tre episode të veçanta të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Gjykata theksoi se veprimet e të pandehurve cënojnë rëndë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, duke shfrytëzuar perceptimin për lidhje apo ndikim mbi gjyqtarë dhe institucione.
Vendimi nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
