SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Kuvendi mbyll provat në kasafortë – BIRN: Deputetëve u mohohet dosja e plotë

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i kërkoi të martën Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për caktimin e një mase arresti ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila gëzon imunitetin e deputetes.

Megjithatë, dosja voluminoze me prova, përgjime dhe akte hetimore, e dorëzuar nga SPAK në Kuvend, nuk u është vënë në dispozicion deputetëve anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, organi që ka kompetencën ligjore për të shqyrtuar kërkesën për heqjen e imunitetit.

Deputetëve vetëm një përmbledhje, jo provat

Sipas deputetëve të opozitës që janë pjesë e këtij Këshilli, zyra e Kryetarit të Kuvendit u ka shpërndarë vetëm relacionin përmbledhës të dosjes, ndërsa aktet e plota hetimore nuk janë dhënë, pavarësisht se ata kanë firmosur deklarata për ruajtjen e sekretit hetimor.

Në një reagim zyrtar për mediat, Kuvendi i Shqipërisë pranoi se materialet me prova janë klasifikuar si “sekret hetimor” dhe janë ‘kyçur’ në një kasafortë, duke argumentuar se kjo masë është marrë në zbatim të një urdhri të SPAK për ruajtjen e sekretit hetimor.

“Materiali me karakter ‘sekret hetimor’ ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar”, njoftoi Kuvendi.

Sipas këtij institucioni, mënyra se si deputetët do të njihen me dosjen do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, e planifikuar për të premten, në prani të prokurorëve të SPAK.

Reagimi i opozitës: Shkelje e rregullores

Vendimi i Kryetarit të Kuvendit u kundërshtua ashpër nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi këtë praktikë si shkelje të rregullores dhe tentativë për të bllokuar transparencën.

“Nuk e mbyll dot më në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës. Është sheshit, në çdo punë publike”, deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se, sipas ligjit, SPAK ka detyrimin të sjellë në Kuvend jo vetëm kërkesën, por edhe provat mbështetëse, të cilat duhet t’u vihen në dispozicion anëtarëve të Këshillit dhe vetë deputetes së marrë të pandehur.

Çfarë thotë rregullorja e Kuvendit

Neni 118 i Rregullores së Kuvendit përcakton qartë se Kryetari i Kuvendit ia përcjell menjëherë kërkesën dhe dokumentet shoqëruese Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si dhe vë në dijeni deputetin përkatës.

Në praktikat e mëparshme parlamentare, edhe në rastet kur dosjet janë konsideruar “sekret hetimor”, materialet janë vendosur në dispozicion të anëtarëve të Këshillit, pasi ata kanë firmosur deklarata për mosnxjerrjen e sekretit hetimor.

Publikime dhe rrjedhje informacioni

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi të mërkurën pjesë nga përgjimet e zbardhura të komunikimeve mes Belinda Ballukut dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, lidhur me tenderat e Unazës së Re të Tiranës.

Bisedat e lexuara publikisht përforcojnë dyshimet e SPAK se tenderat janë paracaktuar, një skemë e ngjashme me raste të tjera të hetuara më parë nga Prokuroria e Posaçme.

Mbledhja e së premtes së Këshillit të Mandateve pritet të jetë vendimtare, jo vetëm për fatin penal të zv.kryeministres Balluku, por edhe për raportin e Kuvendit me drejtësinë dhe transparencën institucionale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related