Ka nisur në Gjykatën Penale të Parisit, procesi kundër dhjetë personave të akuzuar për ngacmim kibernetik ndaj Brigitte Macron, e cila u bë shënjestra e një lajmi të rremë global që pretendonte se gruaja e presidentit francez Emmanuel Macron është në të vërtetë burrë.
Të pandehurit, tetë burra dhe dy gra, të moshës midis 41 dhe 60 vjeç, përfshirë zyrtarë të zgjedhur, pronarë galerish, mësuesë dhe profesionistë të IT-së, akuzohen nga zyra e prokurorit të Parisit për postim dhe ndarje në mediat sociale të shakarave, fyerjeve, e fotomontazheve apo komenteve të tjera dashakeqe rreth “gjinisë” dhe “seksualitetit” të Brigitte Macron, si dhe për cilësimin e diferencës së saj në moshë, si “pedofilinë” me burrin e saj. Brigitte mungonte në sallën e gjyqit. Hetimi për ngacmimin kibernetik, nisi pas një ankese të paraqitur nga Brigitte Macron më 27 gusht 2024, e cila çoi në disa valë arrestimesh, veçanërisht në dhjetor 2024 dhe shkurt 2025.
Disa nga të pandehurit, janë shumë aktivë në mediat sociale, me postime që ndonjëherë grumbullojnë dhjetëra mijëra shikime. Delphine Jegousse, 51 vjeç, e njohur si Amandine Roy, e cila e përshkruan veten si mediume dhe shkrimtare, konsiderohet përgjegjëse për përhapjen e thashethemeve pasi postoi një video katër-orëshe në kanalin e saj në YouTube në vitin 2021. Aurélien Poirson-Atlan, 41 vjeç, e njohur në mediat sociale si Zoé Sagan, pa se si llogaria e saj në X, u pezullua vitin e kaluar pasi emri i saj u përmend në disa hetime gjyqësore.
