Prokuroria e Sarandës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 16 persona, të akuzuar për shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht te moshat e reja, në qytetet Sarandë dhe Delvinë.
Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit akuzohen për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Hetimet janë zhvilluar për më shumë se një vit, duke përdorur metoda proaktive, përfshirë vëzhgime, përgjime dhe dokumentim të aktivitetit kriminal, nga ku rezultoi se grupi shiste lëndë narkotike në zona të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës, me fokus të veçantë të rinjtë.
Akuza shtesë për drejtim mjeti nën efektin e drogës
Prokuroria bën me dije se tre nga të pandehurit janë marrë nën akuzë edhe për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” (neni 291 i Kodit Penal), pasi u provua se drejtonin automjete nën efektin e lëndëve narkotike në momentin e ndalimit nga policia.
Një prej të pandehurve akuzohet gjithashtu për mbajtje dhe shitje pa leje të armëve të ftohta, sipas nenit 279/1 të Kodit Penal.
Prokuroria: Hetimet do të vijojnë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë deklaron se mbetet e angazhuar për të hetuar dhe vënë përpara përgjegjësisë penale çdo individ të përfshirë në veprimtari të paligjshme të shpërndarjes së narkotikëve, veçanërisht kur këto veprime prekin të rinjtë dhe sigurinë publike.
Çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë në javët në vijim.
