Policia ka marrë nën procedim penal një 43-vjeçar, i cili dyshohet se ka falsifikuar dokumente në emër të bashkëshortes së tij të ndjerë, me qëllim kalimin e një automjeti në pronësi personale.
Sipas njoftimit zyrtar të Komisariatit të Policisë Devoll, materialet procedurale janë referuar në Prokurori dhe ndaj shtetasit E. A., 43 vjeç, banues në Bilisht, ka nisur hetimi në gjendje të lirë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Nga veprimet paraprake hetimore dyshohet se, në muajin shtator 2025, 43-vjeçari ka ndërhyrë në dokumentacionin e automjetit që ishte në pronësi të ish-bashkëshortes së tij të ndjerë, me synimin për ta regjistruar mjetin në emrin e tij.
Pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje, policia ka dorëzuar dosjen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit.
