Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë deklarata të forta pas urdhër-arresteve të SPAK lidhur me skandalin e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke pretenduar se biznesmeni Gerond Meçe është marrë peng nga Ergys Agasi, me përfshirjen e një zëvendësdrejtori të Policisë së Tiranës.
Sipas Berishës, pengmarrja ka ndodhur pasi Meçe kishte kundërshtuar ndarjen e tenderave dhe kishte deklaruar, sipas tij nën regjistrim ambiental, se tenderat në AKSHI diktoheshin nga figura pranë kryeministrit Edi Rama. Kryedemokrati pretendon se pas konfliktit, Meçe është rrëmbyer dhe është dërguar “për kompetencë” tek Suel Çela.
Berisha deklaroi se biznesmeni ka arritur të filmojë të gjithë ngjarjen e pengmarrjes dhe më pas është larguar nga Shqipëria, duke u arratisur drejt Gjermanisë. Sipas tij, Meçe ndodhet aktualisht nën mbrojtje, pasi ka dorëzuar pamjet filmike tek autoritetet gjermane dhe ka kërkuar azil.
“Gerond Meçe u mor peng nga njeriu më i afërt i familjes Rama, Ergys Agasi, në bashkëpunim me një drejtues të Policisë së Tiranës. Ata e dërguan për kompetencë tek Suel Çela, por ai arriti të filmojë gjithçka dhe të largohet menjëherë nga vendi. Sot ndodhet në Gjermani, nën mbrojtje, pasi ka dorëzuar provat e pengmarrjes,” u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së e cilësoi AKSHI-n si një “strukturë të kapur nga një grup i strukturuar kriminal”, duke pretenduar se në kundërshtim me ligjin janë zhvilluar qindra tendera sekretë dhe se 96% e fondeve publike janë përqendruar në dy kompani të lidhura me këtë rrjet.
Berisha akuzoi gjithashtu biznesmenin Ermal Beqiri dhe Ergys Agasin si figura kyçe në këtë skemë, duke i konsideruar ata strumbullarë të manipulimit të tenderave dhe të dhënave shtetërore. Sipas tij, çështja e AKSHI-t përfaqëson një nga skandalet më të rënda të korrupsionit dhe abuzimit me sigurinë kombëtare.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur SPAK ka vendosur masa sigurie për disa zyrtarë të AKSHI-t dhe biznesmenë, në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe veprimtari të dyshuar kriminale.
