Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja lidhur me aksionin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku janë lëshuar masa sigurie ndaj drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zv.drejtoreshës Hava Delibashi, si edhe ndaj biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Hetimet e SPAK lidhen me 12 procedura tenderuese të zhvilluara nga AKSHI, për të cilat ka dyshime të forta se janë manipuluar në favor të kompanive të Ermal Beqirit. Sipas Lalës, nga këto procedura janë përfituar shuma të mëdha parash, të cilat dyshohet se janë përdorur për blerjen e pasurive luksoze dhe për pastrim parash.
“Janë kryer transaksione në vlera shumë të konsiderueshme dhe janë blerë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme”, deklaroi gazetarja.
Sipas burimeve pranë hetimit, në një rast është blerë një jaht me vlerë rreth 1 milion euro, i regjistruar në emër të një shtetaseje rumune 24-vjeçare, e cila rezulton të ketë njohje personale me shtetasin Ermal Beqiri. Ky rast konsiderohet nga hetuesit si një prej indicieve më të forta të dyshuara për pastrim parash.
SPAK dyshon gjithashtu se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, në bashkëpunim mes tyre, kanë ushtruar pengmarrje, dhunë dhe shantazh ndaj biznesmenit Gerond Meçe, një nga operatorët ekonomikë që fitonte më së shumti tendera në AKSHI. Pas presioneve për disa orë rresht, Meçe është detyruar të tërhiqet nga gara dhe të heqë dorë nga të gjitha tenderat në këtë institucion.
“Pas dhunës dhe shantazhit, biznesmeni Meçe është detyruar të paraqitet pranë komisioneve përkatëse dhe të tërheqë edhe ankimimet që kishte depozituar për tenderë të caktuar”, raporton Lala, duke shtuar se këto prova janë siguruar përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë, celularëve dhe dëshmive të tjera.
Nga hetimet ka rezultuar se drejtoresha dhe zv.drejtoresha e AKSHI-t kanë favorizuar sistematikisht kompanitë e Ermal Beqirit, duke i kaluar dhjetëra tendera me vlera të larta financiare.
Ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit rëndojnë akuza të rënda, përfshirë:
- konkurrencë të paligjshme përmes dhunës
- heqje të paligjshme të lirisë
- pastrim parash
- kryerje të veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal
Ndërkohë, ndaj drejtuesve të AKSHI-t rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tendera, të kryera në bashkëpunim.
Në kuadër të hetimit janë ushtruar dhjetëra kontrolle në banesa dhe biznese, përfshirë edhe subjektet e Klajdi Merkajt, i arrestuar më herët si pjesë e organizatës kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime të forta se përmes bizneseve të Merkajt janë pastruar miliona euro të përfituara nga tenderat e AKSHI-t.
Hetimet vijojnë, ndërsa burime pranë SPAK nuk përjashtojnë zgjerimin e dosjes penale dhe shtimin e personave të tjerë nën hetim në ditët në vijim.
