Aksioni i Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është zgjeruar edhe më tej ditën e sotme, me kontrolle të ushtruara nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bizneset e Klajdi Merkajt.
Sipas burimeve hetimore, Merkaj është arrestuar më herët si pjesë e grupit kriminal të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja dhe dyshohet se përmes bizneseve të tij janë pastruar miliona euro të përfituara nga tenderat e AKSHI-t. Kontrollet janë kryer me urdhër të SPAK dhe synojnë sigurimin e provave të mëtejshme financiare dhe dokumentare.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se hetimet kanë zbuluar një skemë të gjerë ku fondet publike, të përfituara përmes procedurave të dyshuara abuzive të AKSHI-t, janë kanalizuar drejt bizneseve të lidhura me persona të botës së krimit.
“Në kuadër të këtij operacioni janë ushtruar dhjetëra kontrolle në banesa dhe ambiente biznesi. Një prej tyre është edhe biznesi i Klajdi Merkajt, për të cilin ka dyshime të forta se është përdorur për pastrimin e parave të marra nga AKSHI”, bën me dije Lala.
Në të njëjtën kohë, është vendosur pezullimi nga detyra i zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, si pjesë e hetimeve që po zhvillohen për përfshirje të mundshme të strukturave shtetërore në këtë skemë kriminale.
Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar raste të pengmarrjes, dhunës dhe shantazhit, ku biznesmeni Gerond Meçe është detyruar për disa orë të heqë dorë nga gara për tenderat e AKSHI-t dhe të tërheqë ankimimet që kishte paraqitur, pas presionit të ushtruar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Rezulton se drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zv.drejtoresha Hava Delibashi kanë favorizuar në mënyrë të përsëritur kompanitë e Ermal Beqirit, duke i kaluar dhjetëra tendera me vlera të konsiderueshme. Karçanaj ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri është caktuar masa “arrest me burg”.
SPAK po heton veçanërisht dy tendera të konsideruar tepër problematikë:
– Tenderin për mirëmbajtjen e thesarit të shtetit, ku dyshohet se grupi kriminal kishte akses në të dhëna financiare sensitive dhe transaksione brenda e jashtë vendit.
– Tenderin për administrimin dhe mirëmbajtjen e dosjeve gjyqësore, që sipas hetuesve u ka dhënë kontroll mbi të dhëna delikate, përfshirë caktimin e gjyqtarëve dhe ecurinë e çështjeve.
Përveç këtyre, po hetohen edhe 10 procedura të tjera tenderuese, ndërsa janë zbuluar transaksione të dyshimta financiare, blerje pasurish të paluajtshme dhe një jaht me vlerë afro 1 milion euro, i regjistruar në emër të një shtetaseje 24-vjeçare rumune, e cila rezulton e lidhur me biznesmenin Ermal Beqiri.
Kontrollet dhe hetimet po vijojnë edhe ndaj zyrtarëve të tjerë të AKSHI-t, anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Komisionit të Ankimeve, si dhe personave të lidhur me biznesmenët e shpallur në kërkim.
