Plagoset me armë zjarri personazhi i njohur i TikTok, Fabion Kuçi (“Gucci”) – Autori identifikohet dhe shpallet në kërkim, konflikti nisi nga sharjet në rrjetet sociale

Data

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së hënës në lagjen nr. 9 të Durrësit, ku është plagosur me armë zjarri një personazh i njohur i rrjetit social TikTok.

Sipas burimeve zyrtare, i plagosur ka mbetur Fabion Kuçi, i njohur në rrjete sociale me pseudonimin “Gucci”. Ai ka marrë një plagë në parakrah, ndërsa fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim mjekësor.

Policia e Durrësit ka identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes dhe e ka shpallur atë në kërkim, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e tij.

Nga të dhënat paraprake hetimore mësohet se konflikti ka nisur për motive banale, të lidhura me komente fyese dhe sharje në rrjetin social TikTok, të cilat më pas janë përshkallëzuar në përplasje fizike dhe përdorim arme zjarri.

Fabion Kuçi është një personazh i njohur për publikun e rrjeteve sociale, por gjithashtu rezulton i skeduar më herët nga policia, për shkak të përplasjeve virtuale me persona të tjerë. Ai ka edhe precedentë penalë, pasi ka qenë i dënuar më parë në Angli për vepra të ndryshme penale, duke vuajtur disa vite burg.

Prej disa muajsh Kuçi ishte rikthyer në Shqipëri dhe kishte shtuar ndjeshëm aktivitetin e tij në platformën TikTok.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për dokumentimin ligjor të konfliktit që çoi në plagosje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related