“Media, gotë gjysmë bosh”/ Replikat Rama–gazetare në konferencë: Më mirë kështu sesa ‘kazan’, kryeministri: Ishte term i vitit 2017

Data

Gjatë Konferencës për të Drejtën e Informimit, kryeministri Edi Rama u ndal te roli i mediave në Shqipëri, duke i përshkruar ato si një “gotë gjysmë bosh”, deklaratë që solli replika me gazetaren Eglantina Bardhi.

Gazetarja iu përgjigj kreut të qeverisë duke theksuar se një përkufizim i tillë është më i pranueshëm sesa përdorimi i termit “kazan”, i cili ka shkaktuar debate të forta në të shkuarën.

Në reagimin e tij, Rama sqaroi se termi “kazan” i përgjigjej një konteksti të vitit 2017 dhe se prej asaj kohe nuk e ka përdorur më, por sipas tij, pikërisht për shkak të ndikimit që pati, ka mbetur në kujtesën publike.

“‘Kazani’ është një term i vitit 2017. Nuk e kam përmendur më që prej asaj kohe, por ka mbetur në mendje dhe ky ishte qëllimi. Nëse pyesni qytetarët sot, shumë prej tyre do ta konfirmonin ende këtë perceptim, edhe pse sigurisht nuk bëhet fjalë për të gjithë median”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal gjithashtu te çështja e shpifjes, duke theksuar se qeveria nuk synon të penalizojë gazetarët për këtë vepër penale, por ka një qasje tjetër ndaj politikanëve dhe të zgjedhurve.

“Sipas bindjes sonë, gazetarët që informojnë publikun nuk duhet të ndëshkohen për shpifje. Ndryshe është rasti i politikanëve dhe i të zgjedhurve, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore kur shpifin”, deklaroi Rama.

Replikat mes kryeministrit dhe gazetares u zhvilluan në një klimë debati, duke reflektuar tensionin e vazhdueshëm mes politikës dhe mediave mbi rolin, përgjegjësitë dhe lirinë e shprehjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related