Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, në kuadër të hetimeve për abuzime me tendera publikë.
SPAK po heton 12 procedura tenderuese me vlera milionëshe, të lidhura kryesisht me mirëmbajtjen dhe implementimin e sistemeve IT për institucione shtetërore të rëndësishme. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se kriteret e tenderave janë paracaktuar, duke favorizuar kompani të caktuara dhe duke siguruar përfitime financiare të mëdha.
Në të njëjtën dosje, SPAK ka caktuar masën “arrest me burg” për biznesmenin Ermal Beqiri, një nga përfituesit kryesorë të tenderave të AKSHI-t dhe pronar i kompanisë “Soft & Solution”.
Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë marrë në pyetje rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, në përpjekje për të zbardhur skemën e dyshuar të manipulimit të procedurave.
AKSHI ka qenë prej kohësh në qendër të akuzave për tendera të dyshimtë. Më herët, Partia Demokratike ka denoncuar publikisht procedura konkrete prokurimi, përfshirë atë për Përmirësimin e Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, me fond fillestar 3.8 milionë euro, e cila u anulua dhe më pas u rishpall me ndryshime në vlerë dhe afate.
Sipas denoncimeve, kompania Soft & Solution ka përfituar kontrata me vlera shumë të larta nga AKSHI, ndërsa në disa raste janë skualifikuar oferta më të ulëta. Vetëm gjatë vitit 2024, kjo kompani dyshohet se ka përfituar mbi 22 milionë euro nga fondet publike.
SPAK vijon hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë penale, mënyrën e ndarjes së fondeve dhe përfituesit realë të tenderave, ndërsa çështja konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme për korrupsionin në sektorin e teknologjisë së informacionit në administratën publike.
