Goditje nga SPAK në AKSHI: urdhër-arreste për drejtoreshën Karçanaj, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiri

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar këtë të martë urdhër-arreste në kuadër të hetimit për abuzime me tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sipas burimeve zyrtare, SPAK ka kërkuar masa sigurie për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, për Ergys Agasin, si dhe për biznesmenin Ermal Beqiri. Gjykata e Posaçme ka vendosur masën “arrest shtëpie” për Karçanajn, ndërsa për Ermal Beqirin është caktuar “arrest me burg”. Masë sigurie është dhënë edhe për Ergys Agasin, për të cilin pritet ekzekutimi i vendimit.

Hetimi i SPAK lidhet me 12 procedura tenderuese të dyshuara si të manipuluara, që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e serverave dhe sistemeve të institucioneve shtetërore me rëndësi të veçantë. Nga hetimet paraprake dyshohet se kriteret e këtyre tenderave janë paracaktuar në favor të kompanive të caktuara, duke u siguruar atyre fitimin e kontratave me vlera të larta financiare.

Mirlinda Karçanaj ishte paraqitur më herët në SPAK, më 3 dhjetor, për t’u marrë në pyetje lidhur me këto dyshime. Ndërkohë, biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, është marrë disa herë në pyetje në kuadër të të njëjtit hetim.

Gjatë ditëve të fundit, SPAK ka thirrur dhe ka marrë dëshmi nga rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave. Hetimet kanë nxjerrë në pah dyshime serioze për koordinim mes zyrtarëve publikë dhe subjekteve private.

AKSHI ka qenë më herët në qendër të akuzave për tendera korruptivë, ndërsa hetimi u shoqërua edhe me episode të pazakonta, përfshirë zhdukjen e përkohshme të një ish-zyrtari të këtij institucioni, i cili kishte dhënë dëshmi në SPAK për këto çështje.

Prokuroria e Posaçme pritet të vijojë me veprime të tjera hetimore, ndërsa dosja konsiderohet një nga më të rëndësishmet në fushën e abuzimeve me fondet publike dhe prokurimet në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related