EMRI/ Zbardhet vrasja e shqiptarit Fatos Cenaj, arrestohet fqinji i dyshuar: Pakot e blera në Amazon çuan në gjurmët e autorit

Data

Pas afro gjashtë muajsh hetime intensive, autoritetet italiane kanë identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së Fatos Cenajt, 58-vjeçarit shqiptar i cili u qëllua me një plumb në kokë më 8 qershor në zonën rurale të Fontaniva, në provincën e Padovës.

Viktima, ish-roje burgu në Shqipëri, u gjet i pajetë pranë rrugës, disa qindra metra larg banesës ku jetonte me familjen e tij. Fillimisht u dyshua për një ngjarje aksidentale, por hetimet mjeko-ligjore konfirmuan se bëhej fjalë për vrasje.

Të shtunën, më 13 dhjetor, karabinierët arrestuan fqinjin e tij, Moreno Violetto, 45 vjeç, punëtor, i cili tashmë akuzohet për vrasje të rëndë. Sipas hetuesve, motivi i krimit lidhet me mosmarrëveshje të vazhdueshme mes dy fqinjëve.

Identifikimi i autorit u bë i mundur falë analizës së pamjeve të kamerave të sigurisë. Në to shihej një çiklist që kishte kaluar pranë viktimës pak para krimit, i maskuar me helmetë, syze dielli, maskë fytyre dhe mëngë tatuazhesh që mbulonin krahët.

Pikërisht këto detaje çuan hetuesit drejt Violetto-s. Nga verifikimet rezultoi se mëngët tatuazh dhe maska ishin blerë online në Amazon nga fqinji i viktimës. Ai kishte porositur gjithashtu bojë për të ndryshuar ngjyrën e biçikletës dhe materiale për prodhimin artizanal të armëve dhe municioneve.

Gjatë kontrolleve të kryera në banesë dhe magazinën pas shtëpisë, karabinierët gjetën plumba të prodhuar në shtëpi, të cilët dyshohet se ishin testuar nga i dyshuari. Po ashtu, u konstatua përputhje mes mbetjeve të barutit të gjetura në vendngjarje dhe atyre të zbuluara në mjetet dhe sendet e Violetto-s.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dinamikën e krimit, ndërsa autoritetet italiane theksojnë se provat e mbledhura deri më tani e lidhin fort të arrestuarin me vrasjen e Fatos Cenajt.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related