Një 23-vjeçar shqiptar është arrestuar nga Karabinierët në qytetin Perugia, Itali, nën akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjeje, pasi dyshohet se furnizonte me kokainë restorante në zonë.
I riu u ndalua në Ponte Felcino, teksa po drejtonte një automjet tip Fiat 500, pranë një restoranti ku, sipas hetimeve, zhvillonte aktivitetin e tij të paligjshëm. Sjellja e dyshimtë e drejtuesit të mjetit në një parking të zonës bëri që efektivët të ndërhynin për kontroll.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit, Karabinierët zbuluan 30 doza kokaine të fshehura brenda timonit, me një peshë totale prej 33 gramësh. Çdo dozë peshonte rreth 0.8 gramë, e ndarë gati për shitje.
Në automjet u sekuestruan gjithashtu 515 euro para cash, që dyshohet se ishin të ardhura nga aktiviteti kriminal, si dhe një iPhone, përmes të cilit 23-vjeçari dyshohet se menaxhonte porositë dhe kontaktet me klientët.
Pas arrestimit, çështja u shqyrtua nga Gjykata e Perugias, e cila konfirmoi masën e sigurisë dhe urdhëroi që i riu të paraqitet rregullisht pranë policisë gjyqësore, ndërsa hetimet për rrjetin e shpërndarjes vijojnë.
Autoritetet italiane po punojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, si dhe për të zbuluar nëse 23-vjeçari vepronte i vetëm apo ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë trafiku narkotik.
