Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar me një letër zyrtare Këshillit Bashkiak, përpara mbledhjes së parashikuar më 18 dhjetor, ku pritet të diskutohet dhe miratohet buxheti i vitit 2026.
Në mesazhin e tij, Veliaj thekson se, sipas ligjit, projektbuxheti duhet të hartohet dhe miratohet në konsultim të drejtpërdrejtë me kryetarin e zgjedhur të bashkisë. Ai paralajmëron se çdo vendimmarrje e marrë pa përfshirjen e tij përbën devijim nga standardet e vetëqeverisjes vendore dhe cenon legjitimitetin demokratik të procesit.
Sipas kryebashkiakut, buxheti nuk është një akt thjesht administrativ, por instrumenti kryesor për zbatimin e programit qeverisës për të cilin qytetarët kanë votuar. Miratimi i tij pa konsultim “real dhe substancial” me kryetarin, sipas Veliajt, do të ishte një akt formal, i zhveshur nga vullneti politik i qytetarëve të Tiranës.
Në letër, ai shpreh shqetësim edhe për situatën aktuale financiare të bashkisë, duke theksuar se realizimi i buxhetit 2025 është në nivele shumë të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme, çka sipas tij tregon një paralizë institucionale në administrimin e Bashkisë së Tiranës.
Veliaj kërkon konkretisht që:
- të zhvillohet një konsultim institucional me të përpara miratimit të buxhetit 2026;
- të mos merren në konsideratë dëgjesat publike të zhvilluara pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e tij;
- të mos miratohet buxheti pa propozimin apo miratimin e tij formal, pasi kjo do të përbënte përjashtim të kryetarit të zgjedhur nga ushtrimi i funksioneve kushtetuese.
Ai paralajmëron se një vendim i tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm për autonominë e vetëqeverisjes vendore dhe do të minonte rendin demokratik lokal.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese, në fillim të nëntorit, e riktheu Erion Veliajn në detyrë, duke rrëzuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin presidencial për zgjedhje të reja në Tiranë.
