Berisha sulmon vendimin e Kushtetueses për Ballukun: Fton socialistët t’i bashkohen protestës, “rruga e vetme përballë korrupsionit”

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar atë si një vendim të diktuar politikisht dhe të dalë, sipas tij, nga zyrat e kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë publike, Berisha tha se vendimi është marrë për të mbrojtur atë që ai e quan “paratë e vjedhura” në projektin e Tunelit të Llogarasë, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë për ndërhyrje në drejtësi. Sipas tij, ky akt mbyll çdo mundësi reale për luftën kundër korrupsionit dhe për mbrojtjen e pasurive publike.

“Ky vendim rrëzon përfundimisht shtetin ligjor dhe garanton vjedhjen haptazi të parave dhe pasurive të qytetarëve, duke i shndërruar këto shuma në vota dhe votat në krim”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati theksoi se çdo përpjekje për të hetuar korrupsionin tek zyrtarët me imunitet është tashmë e pamundur, duke e konsideruar këtë si një nga goditjet më të rënda ndaj drejtësisë në vend. Ai shtoi se, sipas tij, drejtësia nuk ka qenë kurrë më parë kaq e kufizuar në përballjen me abuzimin e fondeve publike.

Në këtë kuadër, Berisha ftoi qytetarët, përfshirë edhe mbështetësit e Partisë Socialiste, që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar më 22 dhjetor, duke e cilësuar atë si të vetmen rrugë për të reaguar ndaj situatës aktuale politike dhe institucionale.

“Shpresa e vetme dhe rruga e vetme është që qytetarët të marrin në dorë fatin, votën dhe të ardhmen e tyre. Kjo rrugë është protesta, protesta dhe vetëm protesta”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar 22 dhjetorin si një ditë bashkimi për të gjithë shqiptarët, pa dallim bindjesh politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related