Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për dy të rinjtë Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç, të cilët dyshohen si organizatorët kryesorë të sherrit të dhunshëm mes adoleshentëve, të ndodhur disa ditë më parë pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka”.
Ngjarja përfshiu rreth 15 të rinj, të ndarë në dy grupe, kryesisht të moshës 17–18 vjeç. Fillimisht përplasja nisi me fjalë dhe grushte, por më pas eskaloi në përdorimin e sendeve të forta dhe një arme të ftohtë (thikë). Si pasojë, tre adoleshentë u plagosën lehtë dhe u dërguan në spitalin rajonal të Shkodrës, ku morën ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka pasur zanafillë një përplasje të mëparshme mes nxënësve. Dyshohet se 19-vjeçari Doronesto Kulla u përfshi në sherr për të mbrojtur vëllain e tij 17-vjeçar, nxënës i shkollës “Shejnaze Juka”, duke u bashkuar me persona të tjerë në përleshje. Pamjet filmike të sekuestruara tregojnë momentin kur dy grupet bashkohen dhe nisin konfliktin fizik, i cili zgjat rreth një minutë përpara se të shpërndahen.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Shkodrës dhe efektivët e njësisë “Shqiponja” ndërhynë në vendngjarje, duke sekuestruar kamerat e sigurisë dhe duke nisur hetimet. Fillimisht u arrestuan dy të rinjtë e dyshuar si organizatorë, ndërsa për pesë të mitur (katër 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar) u nis procedimi penal në gjendje të lirë.
Paralelisht, specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materiale në Prokurori për një nga 17-vjeçarët, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e dyshuar lënde narkotike kanabis.
Policia ka identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në konflikt dhe vijon hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Shkaqet e sakta të rrahjes mbeten ende të paqarta, por dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta.
