“Do çarmatosen të gjithë agjentët e BKH-së, do mbajnë patllake dërrase” – Berisha del nga SPAK dhe sulmon Ramën për kontrollin në Kryeministri

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas daljes nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Në një deklaratë për mediat, Berisha hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, duke aluduar për një urdhër politik ndaj Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Sipas Berishës, kreu i SPAK, Altin Dumani, kishte mbledhur hetuesit e BKH-së për t’u komunikuar, siç u shpreh ai, “urdhrin e fundit të Edi Ramës” për çarmatosjen e tyre.

“Po të përpiqesh të futesh sot në atë godinë, nuk të lejojnë, sepse po zhvillohej një takim i veçantë. Altin Dumani kishte mbledhur agjentët e BKH-së dhe po u lexonte urdhrin e Edi Ramës. Do të çarmatosen të gjithë agjentët e BKH-së dhe do armatosen me patllake dërrase. Patllake të vërteta nuk do kenë më, sepse na tmerruan kryeministrin”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi Ramën se ka mbajtur të fshehtë për më shumë se 20 ditë kontrollin e kryer në ambientet e Kryeministrisë nga BKH-ja, duke shtuar se kryeministri reagoi publikisht vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku.

“Rama i tmerruar e mbajti të fshehtë këtë episod për 20 e ca ditë dhe e nxori vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim i dha zemër Ramës. Ai foli dje sepse, pas vendimit të GJK-së, mbyllet çdo mundësi reale që institucionet e hetimit të veprojnë ndaj ministrave”, tha Berisha.

Kreu i PD-së krahasoi situatën aktuale me rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri, duke pretenduar se qeveria pengon çdo masë më të fortë hetimore ndaj zyrtarëve të lartë.

“E vetmja masë që kishte mbetur ishte pezullimi. Gjykata Kushtetuese e bllokoi edhe atë. Një akt i tillë nuk ka ndodhur kurrë”, u shpreh ai.

Në fund të deklaratës së tij, Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke paralajmëruar protestë në Tiranë më 22 dhjetor.

“Kam bindjen se qytetarët shqiptarë do të mblidhen më 22 dhjetor në Tiranë për t’i dhënë përgjigjen më të merituar kësaj situate”, përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related