Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ish-kryeministri ndodhet nën hetim dhe tashmë në proces gjyqësor për dosjen e njohur si “Partizani”, ku akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë. Çështja kaloi për gjykim më 19 maj.
Së bashku me Berishën, në këtë dosje janë të pandehur edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, si dhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Sipas SPAK, Berisha, në cilësinë e kryeministrit, dyshohet se ka ndërmarrë veprime konkrete përmes miratimit të ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat kanë përfituar persona të lidhur me të, përfshirë dhëndrin e tij.
Ish-kryeministri është i detyruar të paraqitet periodikisht pranë SPAK, në përputhje me masën e sigurisë të vendosur nga gjykata, ndërsa procesi gjyqësor për dosjen “Partizani” vijon.
