Sekretariati i Etikës rrëzon kërkesën e PD-së për përjashtimin e Taulant Ballës nga Kuvendi

Data

Sekretariati i Etikës ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për marrjen e masave disiplinore ndaj kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Partia Demokratike kishte depozituar tre ditë më parë një kërkesë zyrtare për përjashtimin e Ballës nga Kuvendi për 30 ditë, duke pretenduar se ai kishte përdorur gjuhë joparlamentare dhe fyese ndaj opozitës gjatë seancës plenare.

Kërkesa ishte firmosur nga një numër deputetësh të opozitës, mes tyre Belind Këlliçi, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Enno Bozdo, Elda Hoti, Bardh Spahia, Jorida Tabaku, Igli Cara, Vangjel Dule, Bujar Leskaj, Ina Zhupa, Klevis Balliu, Erisa Xhixho, Tedi Blushi dhe të tjerë.

Megjithatë, pas shqyrtimit të kërkesës, Sekretariati i Etikës vendosi ta rrëzojë atë, duke mos gjetur bazë për vendosjen e masave disiplinore ndaj deputetit socialist.

Çfarë deklaroi Taulant Balla në Kuvend?

Gjatë debatit në Kuvend, Taulant Balla iu drejtua opozitës me një deklaratë ironike, e cila u cilësua nga PD si gjuhë joparlamentare.

“Njëri i bie patkoit, e tjetri gozhdës. Asnjëri nuk ka sqaruar pse kjo çështje duhet të hiqet nga rendi i ditës. Dëgjova batuta e tallje. Njëri fliste për lepuj, por po hytë te lepujt duhet të flisni edhe për zagarët, se lepurin në pritë e nxjerr zagari. Po i hytë këtij diskutimi, bujrum, se do t’ju lexoj unë listën”, u shpreh Balla.

Vendimi i Sekretariatit të Etikës mbyll për momentin përplasjen institucionale mes mazhorancës dhe opozitës për këtë çështje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related