Interi ka marrë kryesimin e Serisë A pas fitores 2-1 në transfertë ndaj Xhenoas, duke përfituar nga ndalesat e Milanit dhe Napolit. Një sukses me peshë për zikaltrit, por mbi të gjitha një moment simbolik për trajnerin Kristian Kivu, i cili në fillim të sezonit ishte në qendër të kritikave të forta.
Pas ndeshjes, tekniku rumun zgjodhi të fokusohej te paraqitja dhe karakteri i skuadrës, duke theksuar vështirësinë e përballjes në një stadium si ai i Xhenoas dhe intensitetin e kundërshtarit.
“Më pëlqen të flas për ndeshjen dhe për atë që skuadra dha në fushë. Këtu nuk është kurrë e lehtë të luash. Xhenoa ka intensitet, tifozëri dhe një identitet të fortë. Unë marr me vete karakterin që treguam në momente të vështira dhe mbi të gjitha tre pikët”, u shpreh Kivu.
Trajneri i Interit nuk i kurseu as thumbat ndaj atyre që e kishin nxjerrë skuadrën jashtë gare që në muajt e parë të sezonit.
“Ne më të mirët? Pesë muaj më parë thuhej se ishim të mbaruar dhe se do të përfundonim në vendet 8-10. Sot jemi këtu sepse po punojmë dhe po luftojmë çdo ditë. Kjo është detyra jonë”, deklaroi ai.
Kivu theksoi se skuadra është e vetëdijshme për rrugën që duhet ndjekur dhe se sezoni është ende i gjatë.
“Jo gjithmonë gjërat përputhen, ndonjëherë ia dalim, ndonjëherë jo. Por duhet koherencë dhe besim në punë”, përfundoi trajneri i zikaltrve.
Interi konfirmon kështu formën e mirë dhe dërgon një sinjal të fortë për rivalët në garën për titull, ndërsa për Kivun, kjo kryesim renditjeje ka shijen e një hakmarrjeje të qetë ndaj kritikëve.
