Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), lidhur me episodin e ndodhur në ambientet e Kryeministrisë, ku u diskutua çështja e hyrjes së hetuesve me armë zjarri brenda institucionit.
Në reagimin e tij, Rama sqaron se kritika e bërë publikisht nuk kishte të bënte me armëmbajtjen pa leje, por me atë që ai e cilëson si mungesë etike profesionale dhe padije ligjore nga ana e disa hetuesve të BKH-së.
“Ata kanë cituar ligjin sipas të cilit mund të mbajnë armë zjarri, por unë nuk i kam kritikuar për armëmbajtje pa leje. Kritika ime lidhej me padijen etike dhe ligjore që i shtyu të tentonin të hynin në Kryeministri me armë, gjë që edhe vetë e pranojnë në deklaratën e tyre”, shkruan Rama.
Kryeministri shton se po të ishte një rast i izoluar, nuk do ta kishte përmendur publikisht, por sipas tij, ky episod është pjesë e një problematike më të gjerë që tregon boshllëqe shqetësuese etike dhe profesionale në disa struktura të drejtësisë së re.
“Sikur të ishte një rast i veçuar, nuk do ta kisha përmendur. Fatkeqësisht, ky ishte një nga episodet më të lehta që munda të citoj për të ilustruar sjellje që tregojnë mungesë etike dhe profesionalizmi”, thekson Rama.
Ai nënvizon se ka ardhur koha për një reflektim serioz dhe ndërinstitucional, me qëllim garantimin e suksesit të Reformës në Drejtësi, duke ruajtur pavarësinë e gjyqësorit, por pa lejuar që, sipas tij, “kura të kthehet në një problem më të madh se vetë sëmundja”.
Reagimi i Ramës vjen pasi BKH sqaroi se hetuesit kishin respektuar rregulloren e sigurisë së Gardës së Republikës, kishin depozituar armët në ambientet e posaçme të sigurisë dhe se nuk kishte pasur asnjë debat apo përplasje me efektivët e Gardës.
Byroja Kombëtare e Hetimit theksoi gjithashtu se e drejta e hetuesve për mbajtjen e armës së zjarrit parashikohet shprehimisht në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore.
