Tensione të forta dhe debate të ashpra kanë shoqëruar mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së Partisë Demokratike, e cila zgjati për disa orë dhe u zhvillua në një klimë të rënduar politike dhe organizative.
Pas foltoreve të zhvilluara së fundmi nga aktorë të ndryshëm brenda PD-së, përplasja mes Sali Berishës dhe Ervin Salianjit u reflektua drejtpërdrejt edhe në mbledhjen e Kryesisë, ku palët u përballën ballë për ballë.
Sipas burimeve nga brenda mbledhjes, debatet më të forta janë regjistruar kur deputetët Elda Hoti dhe Blend Himçi i janë drejtuar drejtpërdrejt Salianjit, duke e akuzuar se ka qenë ai që ka kërkuar firmat për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit.
“Firmosëm për Endri Shabanin sepse na e kërkove ti. Na more në telefon dhe na kërkove si nder që ta jepnim firmën. Më pas dole në televizione dhe the se dhënia e firmave ishte gabim”, mësohet të kenë deklaruar Hoti dhe Himçi gjatë mbledhjes.
Burimet bëjnë me dije se akuzat ndaj Salianjit nuk janë ndalur me kaq. Deputetët kanë informuar Kryesinë se ish-deputeti demokrat po tenton të organizojë një takim në Elbasan, duke e paraqitur si takim me strukturat demokrate, ndërkohë që sipas tyre, kjo lëvizje po realizohet përmes Suel Çelës dhe Sara Miles.
Këto pretendime kanë shtuar edhe më shumë tensionet brenda Kryesisë, duke thelluar përçarjet dhe akuzat për lëvizje individuale jashtë vendimmarrjes së strukturave zyrtare të partisë.
Mbledhja e Kryesisë u karakterizua nga tone të larta, replika të ashpra dhe akuza të ndërsjella, ndërsa përplasjet e brendshme në Partinë Demokratike duket se po thellohen në prag të protestave të paralajmëruara kundër qeverisë.
