Një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Prushit në Tiranë, ku një motor është përplasur me një automjet, duke shkaktuar humbjen e jetës së drejtuesit të motorit dhe plagosjen e një pasagjereje të re.
Sipas policisë, automjeti i drejtuar nga shtetasi F. Gj., 23 vjeç, është përplasur me motomjetin që drejtohej nga B. T., 40 vjeç. Nga përplasja e fortë, drejtuesi i motorit ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Po ashtu, është plagosur rëndë A. Gj., 22 vjeçe, pasagjere në motor, e cila u dërgua me urgjencë në spital dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkakut që solli ngjarjen tragjike.
Policia e Tiranës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në rrugë, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, kur rreziku për aksidente rritet ndjeshëm.
