Elon Musk sfidon hapur BE-në: “Von der Leyen nuk është zgjedhur nga populli” – Ja kë propozon si president të Bashkimit Evropian

Data

Elon Musk ka hapur sërish një përplasje të drejtpërdrejtë me Bashkimin Evropian, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin demokratik të drejtuesve të tij dhe duke propozuar hapur një emër alternativ për krye të Unionit.

Miliarderi amerikan ka shprehur mbështetje publike për eurodeputetin qipriot Fidi Panajotu, të cilin e sheh si një figurë që mund të sjellë ndryshim real në drejtimin e Bashkimit Evropian. Reagimi i Musk erdhi pas publikimit të një videoje nga Panajotu, ku ky i fundit kritikon mënyrën aktuale të zgjedhjes së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në video, Panajotu thekson se udhëheqja e BE-së nuk buron nga vullneti i drejtpërdrejtë i qytetarëve, por nga marrëveshje politike të mbyllura brenda korridoreve të pushtetit.

“Dua që drejtuesi i Bashkimit Evropian, që aktualisht është Ursula von der Leyen, të zgjidhet në mënyrë demokratike, sepse sot kjo nuk ndodh. Ajo vjen në Parlamentin Evropian dhe ne thjesht themi ‘po’ ose ‘jo’. Kjo është më shumë shfaqje sesa një votim real, pasi marrëveshjet janë bërë më parë me partitë politike”, shprehet Panajotu.

Ky qëndrim ka marrë menjëherë mbështetjen e Elon Musk, i cili e ka shpërndarë dhe komentuar pozitivisht deklaratën, duke e paraqitur eurodeputetin qipriot si një alternativë të denjë për drejtimin e Bashkimit Evropian.

Nuk është hera e parë që Musk përplaset me institucionet evropiane. Ai ka qenë shpesh kritik ndaj burokracisë së BE-së, rregullave të saj dhe mënyrës se si, sipas tij, Unionit i mungon transparenca dhe demokracia reale.

Deklaratat e fundit pritet të ndezin debat të fortë në Bruksel, në një moment kur Bashkimi Evropian përballet me kritika në rritje për deficit demokratik dhe distancim nga qytetarët e tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related