Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Vladimir Kosta, i është bashkuar sot protestës së thirrur nga Adriatik Lapaj dhe lëvizja “Shqipëria Bëhet” përpara Kryeministrisë, kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Kosta u pa mes protestuesve gjatë tubimit, duke shënuar një prani simbolike, teksa prej kohësh ai është shfaqur si kritik i hapur i politikave të qeverisë socialiste.
Vetëm dy ditë më parë, ish-deputeti socialist sulmoi ashpër kryeministrin Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku e akuzoi për dëmtimin e pasurisë publike dhe qeverisje abuzive.
“Pa pikën e turpit kërkon investitorë të huaj… Prish, dhunon dhe minon pasurinë e shqiptarëve. Si të zë vendi…”, shkruante Kosta, duke intensifikuar tonet kritike ndaj qeverisë.
Prania e tij në protestë shihet si një tjetër sinjal pakënaqësie brenda radhëve të majta dhe një mbështetje publike për kauzat e ngritura nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”.
