Pas Prishtinës dhe Tiranës, në Shkup u mbajt sot një protestë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale të Hagës për krime lufte. Mijëra qytetarë u mblodhën për më shumë se një orë në sheshin “Skënderbeu”, duke kërkuar drejtësi për katër ish-anëtarët e UÇK-së.
Figura politike shqiptare nga Maqedonia e Kosova dhe qytetarë të thjeshtë morën pjesë në protestë, ndërsa pankartat shprehnin mesazhe si: “Çlirimtarët duhet të nderohen, jo gjykohen.”
Ish-deputeti demokrat Azgan Haklaj theksoi rëndësinë e respektit për UÇK-në dhe drejtësinë për të gjithë të arrestuarit:
“Asgjë nuk mund ta perëndojë diellin e UÇK-së. Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e kombit. Drejtësi për çlirimtarët!”
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, shtoi se UÇK nuk ka qenë kurrë një organizatë kriminale, por një forcë çlirimtare që mbrojti kombin dhe qytetarët e saj:
“Jemi këtu për të ngritur zërin e vërtetë të shqiptarëve dhe për të treguar se Gjykata Speciale nuk reflekton realitetin.”
Në protestë mori pjesë edhe Shqipdona Mazari, vajza e ish-ushtarit të UÇK, Nuri Mazari (“Komandanti Struga”), e cila theksoi se Ushtria Çlirimtare ishte përgjigje ndaj një populli që kurrë nuk pranoi zhdukjen:
“Çdo fytyrë këtu është gurthemel i lirisë sonë. UÇK-ja nuk ka qenë kurrë kriminelë.”
Gjykimi në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nisi në vitin 2023, tre vjet pas arrestimit të tyre, dhe përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit dhe zhdukje me forcë të civilëve.
