Trump paralajmëron operacione tokësore kundër drogës në Amerikën Latine: Neutralizuam 96% nga deti, tani veprojmë në tokë

Data

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar nisjen e një faze të re në luftën kundër trafikimit të drogës, duke paralajmëruar operacione tokësore në Amerikën Latine kundër rrjeteve kriminale ndërkombëtare.

Duke folur nga Zyra Ovale, Trump deklaroi se SHBA-të kanë arritur të neutralizojnë 96% të lëndës narkotike që hynte nga deti, përmes operacioneve të ushtrisë dhe marinës amerikane, dhe tashmë fokusi do të zhvendoset në ndërhyrjet tokësore.

“Ne neutralizuam 96% të drogës që vinte nga deti dhe tani po fillojmë nga toka. Nga toka është shumë më e lehtë dhe kjo do të fillojë të ndodhë,” u shpreh Trump para gazetarëve.

Presidenti amerikan theksoi se koha dhe vendndodhja e operacioneve tokësore nuk janë përcaktuar ende, por bëri të qartë se fushata ushtarake kundër drogës po zgjerohet ndjeshëm. Këto deklarata vijnë pas një serie sulmesh të Pentagonit ndaj anijeve që, sipas autoriteteve amerikane, përdoreshin për transportin e drogës në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Amerikës së Jugut.

Edhe pse retorika e Uashingtonit është interpretuar nga analistët si presion politik ndaj presidentit venezuelian Nicolás Maduro, Trump theksoi se ndërhyrjet tokësore nuk do të kufizohen domosdoshmërisht në Venezuelë.

“Nuk është e thënë domosdoshmërisht të jenë në tokën venezueliane. Shënjestra jonë janë njerëzit e tmerrshëm që sjellin drogë në vendin tonë,” deklaroi ai.

Trump e krahasoi luftën kundër trafikimit të drogës me një konflikt të vërtetë ushtarak, duke theksuar pasojat fatale që sjell ky fenomen në SHBA.

“Nëse vdekjet nga mbidozat do të regjistroheshin si viktima lufte, atëherë kjo do të ishte një luftë si asnjë tjetër,” përfundoi presidenti amerikan.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related