Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dhënë një vlerësim tejet kritik për realitetin politik në Shqipëri, duke deklaruar se vendi nuk funksionon realisht si Republikë Parlamentare, por si një autokraci e përqendruar te një individ i vetëm.
I pyetur nëse Shqipëria sot është Republikë Parlamentare, Topi u përgjigj prerazi:
“Kurrsesi!”, duke shtuar se modeli aktual i qeverisjes është edhe më problematik sesa një republikë e pastër ekzekutive.
“Ne jemi Republikë Parlamentare vetëm në letër. Në realitet jemi Republikë e 1-shit. Edhe po të ishte republikë e ekzekutivit, do kishte transparencë, respekt për mbledhjet e qeverisë dhe vendimmarrje të matur. Sot vendimet merren individualisht”, u shpreh Topi.
Parlamenti, më i dobëti i pluralizmit
Ish-kreu i shtetit e cilësoi Kuvendin aktual si më të dobëtin në gjithë periudhën e pluralizmit, duke bërë edhe një krahasim të fortë me të kaluarën komuniste.
“Si mund të flasim për Republikë Parlamentare, kur ky është Parlamenti më i dobët i pluralizmit? Edhe në komunizëm ka pasur njerëz më të formuar se ata që shohim sot në Kuvend”, deklaroi Topi.
Sipas tij, vendimmarrja politike sot nuk respekton as parimin e ndarjes së pushteteve dhe as përgjegjësinë kolektive, por përqendrohet në një dorë të vetme.
Autokraci, jo demokraci
I pyetur nëse kjo situatë mund të përkufizohet si autokraci, Topi u shpreh pa hezitim:
“Sigurisht. Mund t’i vësh çfarëdo emri, vetëm demokraci nuk i thuhet kësaj. Nuk ka respekt institucional, përgjegjësia shpërndahet artificialisht, ndërsa vendimet merren nga një njeri i vetëm.”
Kritika ndaj opozitës dhe thirrjeve për protesta
Topi kritikoi ashpër edhe opozitën, duke i cilësuar thirrjet për protesta masive si të turpshme dhe tallëse në raport me realitetin shoqëror.
“Kur dëgjoj shefin e opozitës që flet për demonstratën më të fuqishme që ka ndodhur ndonjëherë, kjo është tallje e radhës. Është turp i madh të vazhdosh të flasësh kështu me njerëzit që i ke tradhtuar”, tha ish-presidenti.
Ai shtoi se shoqëria shqiptare është gjithnjë e më e paangazhuar politikisht, pasi ka gjetur mënyra për t’i shpëtuar realitetit vendas përmes emigrimit.
“Shoqëria sot nuk është e interesuar. Shikoni Rinasin: njerëzit ikin dhe kthehen, aeroporti plot. Kjo shoqëri ka gjetur mënyra të zgjuara për t’i ikur këtij llumi këtu”, u shpreh Topi.
Në përfundim, ish-presidenti nënvizoi se problemi i Shqipërisë nuk është vetëm opozita, por një krizë e thellë politike dhe shoqërore, ku institucionet janë dobësuar dhe demokracia ka mbetur vetëm formale
