Forca politike opozitare “Shqipëria Bëhet” vijon prej disa ditësh një formë proteste të pazakontë përpara godinës së Kryeministrisë, në reagim ndaj asaj që e cilëson si skandalin “Balluku”, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
Protesta është zhvilluar përmes vendosjes së çadrave dhe karrigeve në trotuarin përballë Kryeministrisë, si simbol i një qëndrimi të përhershëm proteste. Megjithatë, mbrëmjen e sotme Policia e Tiranës ka ndërhyrë për herë të dytë, duke i hequr çadrat, të cilat i ka konsideruar si zaptim të paligjshëm të hapësirës publike.
Ndërhyrja e policisë u shoqërua me tensione, pasi kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, së bashku me mbështetësit e tij, kundërshtuan largimin e çadrave dhe tentuan të rezistonin ndaj veprimeve të efektivëve.
Qytetarët e pranishëm në protestë pretenduan se nuk kanë shkelur asnjë ligj, duke theksuar se e drejta për protestë është e garantuar nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Ata akuzuan policinë për përdorim force dhe kufizim të lirisë së shprehjes.
Momentet e tensionit u regjistruan pikërisht gjatë përpjekjes për ngritjen e çadrave, kur efektivët ndërhynë për t’i larguar, çka solli përplasje verbale dhe fizike mes palëve.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, përfaqësuesit e “Shqipëria Bëhet” janë shprehur të vendosur për të vijuar protestën, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesa për dorëheqjen e qeverisë dhe marrjen e përgjegjësive politike për aferat e denoncuara.
