Daljet e dhunës mes të rinjve në Shkodër kanë marrë një tjetër dimension shqetësues. Panorama Online ka siguruar pamjet nga vendngjarja ku paraditen e sotme u regjistrua konflikti i rëndë me mjete prerëse mes disa nxënësve të Gjimnazit të Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka”.
Sipas raportimit të gazetarit Senad Nikshiqi, në sherr u përfshinë disa adoleshentë, nxënës të shkollës së mesme, ku dy prej tyre, të moshës 18 vjeç, mbetën të plagosur. Të rinjtë u transportuan me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku po marrin mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, policia ka sekuestruar edhe sendet personale të adoleshentëve të përfshirë në konflikt. Një detaj që ka tërhequr vëmendjen është mbishkrimi në kapelën e njërit prej nxënësve, ku lexohet fraza në anglisht: “Pain don’t hurt” – “Dhimbja nuk të vret”.
Ky mesazh, i gjetur në një kontekst dhune reale mes të miturve, ka ngjallur reagime dhe shqetësim, duke u parë si një simbol i banalizimit të dhimbjes dhe agresionit mes të rinjve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shkodrës, rreth orës 11:10, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar në rrugë shtetasi me iniciale A. K. me dy vëllezër, F. Th. dhe K. Th., duke përdorur mjete prerëse. Të tre janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa në vijim pritet informacion më i detajuar nga autoritetet.
