Një konflikt i dhunshëm mes disa nxënësve ka ndodhur paraditen e sotme pranë Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka” në Shkodër, duke përfunduar me tre të rinj të plagosur nga mjete prerëse.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:10, në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Dyshohet se për motive të dobëta, në rrugë janë konfliktuar shtetasi me iniciale A. K. me dy vëllezër, F. Th. dhe K. Th., ku gjatë përplasjes janë përdorur mjete prerëse.
Të tre të përfshirët janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore dhe, sipas bluve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit, si dhe për sqarimin e shkaqeve që çuan në përshkallëzimin e dhunës mes nxënësve. Në vijim pritet të ketë informacion shtesë nga autoritetet.
