Qyteti i Kalkutës në Indi do të zbulojë së shpejti atë që autoritetet lokale e cilësojnë si statujën më të lartë në botë kushtuar Lionel Mesit. Monumenti gjigant, i ndërtuar prej hekuri dhe me një lartësi mbi 20 metra, është realizuar nga një klub sportiv lokal dhe përkon me nisjen e vizitës së yllit argjentinas në Indi.
Statuja ndodhet në zonën Lake Town dhe e paraqet Mesin në momentin ikonik teksa ngre trofeun e Kupës së Botës, pas triumfit historik me Argjentinën. Sipas organizatorëve, ndërtimi i saj ka zgjatur rreth 40 ditë, ndërsa aktualisht po bëhen vetëm disa punime përfundimtare.
“Kjo është një statujë 20 metra e lartë. Nuk ka një tjetër statujë të Mesit kaq të madhe në botë. Ne e ndërtuam për vetëm 40 ditë,” u shpreh Sujit Bose, një nga organizatorët e projektit.
Zbulimi i statujës do të shënojë edhe nisjen simbolike të ‘GOAT Tour’ të Lionel Mesit në Indi, një tur që do të përfshijë disa nga qytetet kryesore të vendit, si Kalkuta, Hyderabad, Mumbai dhe New Delhi, përgjatë tre ditëve.
Megjithatë, organizatorët kanë bërë të ditur se ceremonia e zbulimit të statujës do të zhvillohet virtualisht, pasi Mesi nuk pritet të jetë fizikisht i pranishëm në këtë aktivitet, për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe rendin publik. Pavarësisht kësaj, vizita e tij në Indi mbetet e planifikuar si pjesë e turit dhe ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm te tifozët indianë.
Nderimi i Mesit në Indi dëshmon edhe një herë popullaritetin global të kampionit të Botës, i cili vazhdon të frymëzojë miliona tifozë në çdo cep të botës.
