Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një punonjës të Policisë së Shtetit, kryeinspektorin dhe dy inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Vau i Dejës, të akuzuar për shkelje të rënda ligjore në lidhje me ndërtime pa leje.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”, ndërsa hetimet janë bazuar në materialet e referuara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Personat e dërguar për gjykim janë:
- Anton Demaj – punonjës i Policisë së Shtetit, Komisariati i Policisë Vau i Dejës
- Martin Luka – kryeinspektor i IMT-së, Bashkia Vau i Dejës
- Darmian Lleshi – inspektor i IMT-së, Bashkia Vau i Dejës
- Jonida Huba – inspektore e IMT-së, Bashkia Vau i Dejës
Sipas Prokurorisë, më 9 prill 2025, në rrugë operative janë siguruar të dhëna se në fshatrat Pistull dhe Paçram, Njësia Administrative Hajmel, po kryheshin ndërtime pa leje, ndërsa disa prej ndërtuesve dyshohet se janë favorizuar qëllimisht nga punonjësi i policisë dhe zyrtarët e IMT-së, duke mos ushtruar detyrimet ligjore për ndalimin dhe denoncimin e paligjshmërisë.
Nga hetimet rezultoi se:
- punonjësi i policisë dhe zyrtarët e IMT-së kishin dijeni për ndërtimet e paligjshme,
- nuk i kallëzuan rastet pranë organeve kompetente,
- si dhe me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë favorizuar subjektet ndërtuese, duke cenuar interesin publik dhe ligjin për mbrojtjen e territorit.
Për katër zyrtarët e përfshirë është caktuar masa e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ndërsa procedimi penal vijon në fazën e gjykimit.
Prokuroria thekson se çështja është pjesë e përpjekjeve për të luftuar abuzimet me territorin, korrupsionin dhe tolerimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht kur këto favorizohen nga funksionarë publikë të ngarkuar për zbatimin e ligjit.
