Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga operacioni i zhvilluar për arrestimin e Alket Xhixhës dhe Elvin Merlikës, dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim nga SPAK dhe ndaj të cilëve Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 75”, i realizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale. Dy të kërkuarit u lokalizuan në një vilë pranë lumit në zonën e Fushë-Kuqes, në një terren të vështirë dhe me rrezik të lartë, ku shumë pranë banesës ndodhej edhe një skaf, çka ngre dyshime për plane të mundshme arratisjeje.
Gjatë kontrollit, forcat speciale konstatuan se Xhixha dhe Merlika ishin të armatosur, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
- 2 armë zjarri pistoleta,
- 2 armë gjahu,
- municion luftarak,
- 2 radio ndërlidhëse, të ngjashme me ato të policisë,
- 1 jelek antiplumb.
Sipas autoriteteve, të dy personat akuzohen për:
- “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”,
- “Grup i strukturuar kriminal”,
- “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Kush janë të arrestuarit
Elvin Merlika ishte në kërkim si pjesëmarrës në planin për vrasjen e Indrit Dokles, një atentat i dyshuar si porosi e dhënë nga Ervis Martinaj. Emri i tij ka dalë në pah pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë. Më herët, SPAK kishte kërkuar konfiskimin e 20 pasurive në emër të Merlikës dhe familjarëve të tij, kërkesë që u rrëzua nga gjykata.
Ndërkohë, Alket (Fredi) Xhixha dyshohet se ka luajtur rol kyç në organizimin e takimit mes Nuredin Dumanit dhe Ervis Martinajt, duke u konsideruar hallkë e rëndësishme në zinxhirin e ngjarjeve kriminale të zbardhura nga drejtësia.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të dy të arrestuarve dhe identifikimin e provave apo personave të tjerë të përfshirë.
