Pavarësisht se ekonomia shqiptare u zgjerua me 3.5% në tremujorin e dytë të vitit, të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë një tkurrje të ndjeshme të punësimit gjatë periudhës qershor–shtator.
Sipas anketës së forcës së punës, numri i të punësuarve në grup-moshën 15–64 vjeç ra me 19,561 persona krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ndërkohë, norma e papunësisë mbeti e pandryshuar, duke sinjalizuar se problemi kryesor nuk lidhet me rritjen e numrit të personave që kërkojnë punë, por me tkurrjen e vetë forcës së punës.
Rënia më e fortë te të rinjtë
Analiza sipas grup-moshave tregon se tkurrja më e madhe e punësimit është te të rinjtë 15–29 vjeç, me mbi 11 mijë persona më pak të punësuar se një vit më parë. Ky grup kontribuon më shumë në rënien e përgjithshme të punësimit dhe pasqyron ritmet e larta të emigracionit të të rinjve.
Edhe grup-mosha 30–64 vjeç ka shënuar rënie me mbi 8,500 persona, duke sugjeruar se jo vetëm të rinjtë, por edhe punonjësit me eksperiencë po largohen nga tregu i punës, shpesh drejt emigracionit.
Kriza në sektorët me intensitet të lartë pune
Krahas faktorëve demografikë, punësimi po ndikohet edhe nga kriza në sektorët me intensitet të lartë pune, si industria dhe bujqësia. Veçanërisht sektori fason po shkurton vende pune për shkak të:
- rënies së kërkesës në tregjet ndërkombëtare
- falimenteve të bizneseve
- humbjeve nga kursi i këmbimit
Nga ana tjetër, ndërtimi, shërbimet dhe aktivitetet sezonale kanë ulur ritmet e rekrutimeve për shkak të kostove në rritje dhe presionit të pagave.
Forca e punës në tkurrje
Në tremujorin e tretë të vitit 2025, forca e punës në moshën 15–64 vjeç ishte 1,150,656 persona, ose 20,344 persona më pak se një vit më parë, me një tkurrje vjetore prej -1.7%.
Rënia e shpejtë e popullsisë në moshë pune po e bën gjithnjë e më të vështirë vlerësimin real të vendeve të reja të punës që krijohen nga rritja ekonomike.
Pse papunësia nuk rritet?
Në vendet e zhvilluara, ulja e punësimit shoqërohet zakonisht me rritje të papunësisë, por në Shqipëri situata është ndryshe. Një pjesë e atyre që humbin vendin e punës:
- nuk regjistrohen si të papunë
- janë të gatshëm të emigrojnë
- ose zgjedhin të dalin përkohësisht nga tregu i punës
Kjo bën që treguesit zyrtarë të papunësisë të mos pasqyrojnë plotësisht shkallën reale të tkurrjes së fuqisë punëtore.
