Endrit Shabani, i cili u zgjodh mbrëmjen e djeshme Avokat i Popullit nga Kuvendi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke komentuar zhvillimet dhe dinamikën politike që shoqëruan procesin e votimit.
Shabani u miratua në këtë funksion kushtetues me 85 vota pro, 0 abstenime dhe 3 vota kundër, në përfundim të një seance maratonë të mbajtur më 11 dhjetor, ku procesi u zhvillua pa praninë e opozitës, e cila braktisi sallën përpara nisjes së votimit.
Reagimi i Endrit Shabanit
Në reagimin e tij, Shabani shprehet se mbetet i befasuar nga qëndrimi i opozitës, e cila fillimisht e mbështeti kandidaturën e tij me firma, por më pas u tërhoq nga votimi.
“Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time, a thua se nuk ishte e tyrja”, shkruan Shabani.
Megjithatë, ai falënderon 35 deputetët e opozitës që me firmat e tyre i dhanë mundësi të kandidojë për postin e Avokatit të Popullit, duke theksuar se nuk do t’u japë arsye për të menduar se kanë gabuar.
Falënderim për mazhorancën
Nga ana tjetër, Shabani falënderon edhe deputetët e mazhorancës socialiste, të cilët në fillim kishin refuzuar të firmosnin kandidaturën e tij, por që në fund e votuan unanimisht.
“Sado që jam i vetëdijshëm se vota e tyre ishte më shumë një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe për të përmbushur një detyrim në procesin e negociatave”, shprehet ai.
Shabani vlerëson faktin që mazhoranca, sipas tij, i dha përparësi funksionimit të shtetit, pavarësisht se ai vjen nga radhët e opozitës dhe ka qenë kritik ndaj qeverisë.
Procesi i votimit dhe kundërshtitë
Procesi i votimit u shoqërua me tensione politike. Partia Demokratike tërhoqi firmat për të gjithë kandidatët, duke pretenduar se PS synonte të merrte kontrollin e institucionit të Avokatit të Popullit, përmes vendosjes së Endrit Shabanit në krye të tij.
Opozita kërkoi heqjen e projektvendimit nga rendi i ditës, por kjo kërkesë u rrëzua me 77 vota kundër, siç bëri të ditur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Rezultatet e votimit për kandidatët
- Endrit Shabani: 85 pro, 0 abstenime, 3 kundër
- Tartar Bazaj: 1 pro, 79 abstenime, 7 kundër
- Aranita Brahaj: 4 pro, 76 abstenime, 7 kundër
- Skënder Haluci: 1 pro, 72 abstenime, 14 kundër
- Adriana Kalaja: 0 pro, 69 kundër, 17 abstenime
- Beism Ndregjoni: 0 pro, 61 abstenime, 25 kundër
Gjatë seancës u shfaq edhe kryeministri Edi Rama, i cili hyri në sallë pak para nisjes së votimit për Avokatin e Popullit, ndonëse nuk kishte qenë i pranishëm gjatë diskutimeve paraprake.
Zgjedhja e Avokatit të Popullit i jep fund një ngërçi të gjatë institucional, i cili ishte evidentuar edhe në raportet e Bashkimit Europian në kuadër të procesit të integrimit.
