Policia italiane ka arrestuar në Verona një shtetas shqiptar 36-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim prej tre vitesh dhe ndaj të cilit kishte një vendim të formës së prerë për burgim.
Sipas autoriteteve italiane, arrestimi u krye nga Seksioni i Arrestimeve i Policisë së Veronës, pas një urdhri ekzekutimi të lëshuar nga Prokuroria e Triestes. Shqiptari ishte dënuar me 3 vjet e 9 muaj burg, nga të cilët një pjesë e dënimit është konsideruar e vuajtur.
36-vjeçari rezulton i përfshirë në një sërë veprash penale të rënda, përfshirë vjedhje banesash, pranim të mallrave të vjedhura, si dhe mbajtje të paligjshme të armëve apo sendeve të rrezikshme. Këto vepra janë kryer në zona të ndryshme të Italisë, kryesisht në Verona, gjatë viteve 2015–2019, ndërsa procedimi për armë u regjistrua në vitin 2022 në Trieste.
I njohur prej kohësh nga forcat e rendit, shqiptari dyshohet se ka nisur aktivitetin kriminal më shumë se 15–20 vite më parë, duke u shndërruar në një “skifter” profesionist, të specializuar veçanërisht në vjedhje të rënda në banesa dhe biznese. Mediat italiane theksojnë se ai vepronte me metoda të përsëritura dhe kishte krijuar një profil të rrezikshëm kriminal.
Pas përfundimit të procedurave formale, 36-vjeçari u transferua në burgun Verona-Montorio, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga drejtësia italiane.
