Fajde me para nga aktiviteti kriminal përmes dy “Exchange”-eve, arrestohen 3 persona nga një fis i Lazaratit; i katërti në kërkim – Sekuestrohen miliona lekë dhe valuta të huaja

Data

Policia e Gjirokastrës ka finalizuar një operacion disa mujor, të koduar “Trace the Flow”, duke goditur një skemë të dhënies së parave me fajde dhe pastrimit të parave të dyshuara me origjinë kriminale, të realizuar përmes dy pikave “Exchange” në Tiranë dhe Gjirokastër.

Në pranga kanë rënë tre prej të dyshuarve, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim. Të katër të përfshirët janë pjesë e një fisi nga Lazarati, konkretisht dy vëllezër dhe djemtë e tyre.

Skema e fajdesë dhe aktiviteti kriminal

Sipas Policisë, hetimet me metoda proaktive zbuluan se subjekti “Exchange” në pronësi të 56-vjeçarit R.K., shërbente si mbulesë për qarkullimin e parave të dyshuara kriminale, të cilat familjarët i jepnin me fajde kundrejt interesave të larta.

Gjatë operacionit u arrestuan:

  • R. K., 56 vjeç – organizatori kryesor
  • L. K., 59 vjeç – vëllai i tij
  • P. K., 28 vjeç – djali i 59-vjeçarit

Ndërsa është shpallur në kërkim:

  • B. K., 27 vjeç – djali i 56-vjeçarit

Të gjithë banues në Kordhocë, Lazarat.

Sekuestrimet – Shuma marramendëse parash në disa valuta

Gjatë kontrolleve në subjektet “Exchange” dhe në banesat e të dyshuarve, u sekuestruan shuma të mëdha parash dhe pajisje që shërbenin për aktivitetin e tyre të paligjshëm:

  • 26,963,200 lekë
  • 132,760 euro
  • 42,596 USD
  • 8,780 paund britanikë
  • 10,380 franga
  • 3,145 dollarë kanadezë
  • 85,720 lira turke
  • 18 blloqe me shënime (lista debitorëve)
  • 6 kompjuterë
  • 6 celularë
  • Dokumente dhe prova të tjera të rëndësishme për hetimin.

Aksioni disamujor dhe akuzat e ngritura

Hetimi i zgjeruar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, kishte si synim provimin e skemës së pastrimit të parave të dyshuara kriminale, të cilat përdoreshin për huadhënie me fajde.

Familjarët dyshohet se:

  • Jepnin para me interes të lartë, duke përfituar fitime të konsiderueshme
  • Përdornin subjektet “Exchange” për të justifikuar qarkullimin e mjeteve financiare
  • Fshihnin të ardhurat reale dhe aktivitetin kriminal

Prokuroria i akuzon për veprat penale:

  • “Skemat mashtruese dhe piramidale”
  • “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
  • “Fshehja e të ardhurave”

Punohet intensivisht për kapjen e të riut 27-vjeçar të shpallur në kërkim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related