Mazhoranca socialiste ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të hequr nga rendi i ditës projektvendimin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke e lënë çështjen për votim në seancë plenare.
PD njoftoi tërheqjen zyrtare të firmave të deputetëve që kishin mbështetur 6 kandidatët në garë, duke akuzuar PS-në se po tenton të imponojë emrin e Endri Shabanit si kreun e ri të institucionit. Sipas opozitës, procesi është kthyer në një farsë politike dhe nuk respekton marrëveshjen që posti t’i takonte opozitës.
Votimi në Kuvend: 77 kundër, kërkesa e opozitës rrëzohet
Pavarësisht kundërshtisë së fortë të demokratëve, socialistët përdorën shumicën në Parlament për të rrëzuar kërkesën e tyre.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shpalli rezultatin e votimit:
“30 vota pro heqjes nga rendi i ditës, 77 kundër dhe 1 abstenim. Me 77 vota kundër, projektvendimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit mbetet në rend të ditës.”
Kjo lë të hapur rrugën që Kuvendi të vijojë me votimin e kandidatëve, ndonëse opozita pretendon se procesi është i delegjitimuar pas tërheqjes së firmave të saj.
