Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sqaroi sot në seancën plenare arsyet pse opozita u tërhoq nga procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke akuzuar mazhorancën se po manipulon procedurën për të siguruar kontrollin e institucionit.
Berisha deklaroi se PD ka vepruar në respekt të vendimit të Komisionit të Ligjeve, i cili përcaktonte se një deputet mund të vendoste vetëm një firmë për një kandidat të vetëm. Sipas tij, mazhoranca ka shkelur rregullat e veta për t’i hapur rrugë kandidaturës së preferuar nga Partia Socialiste.
“Zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve, prandaj tërhoqëm firmat”
Berisha u shpreh se opozita dorëzoi me shkrim tërheqjen e të gjitha firmave, pasi kryetari i Komisionit të Ligjeve — sipas tij — kishte vendosur qartësisht që deputetët nuk mund të mbështesin më shumë se një kandidat.
“Ne zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve. Deputeti ka të drejtë vetëm për një firmë. Ne, në respekt të këtij vendimi, tërhoqëm firmat. Por ju, vetëm për të grabitur Avokatin e Popullit, po përmbysni rregullin që vetë keni vendosur,” tha Berisha.
Ai akuzoi mazhorancën se ka vendosur të injorojë vendimin procedural të Komisionit, duke e quajtur këtë veprim “shkelje të hapur të rregullave parlamentare”.
Berisha: “E dini që kandidati juaj nuk merr dot asnjë firmë”
Duke iu referuar indirekt kandidaturës së Endri Shabanit, Berisha tha:
“Ju e dini se ‘lepuri i Surrelit’ nuk merr dot asnjë firmë. Dhe, për ta shpëtuar, po shkelmoni mbi vendimin tuaj. Është akt i ulët.”
Ai shtoi se PD ka qenë “luajale me ligjin”, ndërsa mazhoranca — sipas tij — po tenton të imponojë kandidatin e vet duke ndryshuar rregullat për shkak të interesave politike.
Akuzat politike në sallë
Berisha kritikoi ashpër qëndrimin e PS-së, duke thënë:
“E keqja banale e kohës jeni ju. E keqja banale e kombit jeni ju.”
Ai akuzoi mazhorancën se po përdor mekanizmat parlamentarë për të kapur institucionet e pavarura, duke shtuar se opozita nuk do të bëhet pjesë e një procesi që, sipas saj, është manipuluar që në nisje.
