Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Mit’hat Havari, ka komentuar në studion e “News 24” pezullimin nga detyra të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e lidhur çështjen me mënyrën se si, sipas tij, kryeministri Edi Rama përzgjedh anëtarët e kabinetit qeveritar.
Havari u shpreh se Balluku ka përfunduar studimet universitare në Universitetin e Shkodrës dhe se ky fakt, sipas tij, ngre pikëpyetje të caktuara për periudhën në të cilën është marrë diploma. Ai shtoi se një pjesë e qeverisë aktuale përbëhet nga ministra me “arsime të cunguara”, duke bërë krahasime me kabinetet e vendeve të tjera europiane.
“Po të shikoni, Meloni ka tre doktorë shkencash në qeveri, ndërsa ky i yni i ka me universitete të cunguara. Ish-zv.kryeministrja është me Universitetin e Shkodrës,” tha Havari, duke theksuar se nuk ka qëllim të paragjykojë, por se ka dëgjuar publikisht akuzat e kohës për shitje diplomash.
“Kishe Tiranën, moj vajzë. Ç’doje në Shkodër?”
Havari tregoi se i ishte drejtuar personalisht Ballukut me një pyetje ironike lidhur me zgjedhjen e universitetit:
“Nuk e paragjykoj, por kam dëgjuar që shiteshin diplomat. Ishte Universiteti i Tiranës, moj vajzë, ç’doje në Shkodër?”
Ai aludoi se Rama ka pasur rol të drejtpërdrejtë në ngritjen e karrierës së Ballukut dhe në besimin politik të dhënë ndaj saj.
“Rama duhej të ishte distancuar dhe të vepronte institucionalisht”
Sipas Havarit, mënyra se si kryeministri ka reaguar ndaj pezullimit të Ballukut nga GJKKO nuk ka qenë në përputhje me standardet institucionale. Ai sugjeroi se Rama duhej të kishte lënë drejtësinë të vepronte dhe të kishte përcjellë një mesazh të qartë se çështja nuk ishte në dorën e tij.
“Ajo që do ta shpëtonte atë si kryeministër, për të qenë i besueshëm, ishte të thoshte: ‘Nuk është çështja ime, është çështje e drejtësisë’. Të mblidhte kabinetin dhe ta zëvendësonte,” deklaroi ai.
Havari shtoi se përzgjedhjet e gabuara në nivel qeveritar krijojnë probleme të besimit dhe profesionalizmit, duke theksuar se standardet e arsimimit dhe integriteti personal duhet të jenë kyç për çdo zyrtar të lartë.
