Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari, deklaroi në emisionin “Oponencë” se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk duhet të mbrohet politikisht dhe se drejtësia duhet të veprojë lirisht, pa ndërhyrje nga qeveria. Ai i sugjeroi kryeministrit Edi Rama të distancohet publikisht nga çdo ndërhyrje në proceset gjyqësore, duke i bërë të qartë opinionit se çështjet penale janë kompetencë e drejtësisë.
Havari kujtoi kohën kur kishte bashkëpunuar me Ramën në pastrimin e Lanës mbi dy dekada më parë, duke theksuar se edhe atëherë kishte ndjekur një parim të vetëm: zbatimin e ligjit, pa mbrojtur askënd.
Shembulli personal i Havarit: “E paralajmërova, nuk më dëgjoi dhe përfundoi në burg”
Duke ilustruar qëndrimin e tij, ish-kryepolici solli rastin e një oficeri – ish-drejtor policie – për të cilin kishte informacione se ishte i përfshirë në krim dhe trafik droge.
“E thirra dhe i kërkova të zbatonte ligjin. Më tha: ‘Po Ilir Meta?’ I kujtova se secili mban përgjegjësi për veten. E paralajmërova me butësi, por nuk më dëgjoi. Sot është në burg”, rrëfeu Havari.
Ai theksoi se e njëjta qasje duhet të ndiqet ndaj çdo zyrtari publik, pavarësisht pozicionit apo lidhjeve politike.
“Nëse GJKKO pezullon dikë, largohet menjëherë nga detyra”
Havari ishte i qartë në qëndrimin e tij: vendimet e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) duhet të zbatohen pa asnjë diskutim – qoftë për policë, drejtues institucionesh, ministra apo zëvendëskryeministra.
“Nëse GJKKO vendos pezullim nga detyra, të nesërmen duhet të largohet menjëherë. Ka plot vajza dhe djem të aftë, që sot enden rrugëve të botës”, u shpreh ai, duke nënkuptuar se askush nuk është i pazëvendësueshëm.
Kritika të forta ndaj Policisë: “Emërimet politike po e shkatërrojnë strukturën”
Ish-kryepolici shprehu rezerva të mëdha për mënyrën si funksionon sot Policia e Shtetit. Sipas tij, emërimet politike kanë sjellë drejtues të papërgatitur, të cilët cënojnë punën profesionale të strukturave.
“Shpesh sjellen personazhe që e prishin gjithë atë që është ndërtuar. Emërimet janë politike, shumë prej tyre të pashkolluar, pa kulturë dhe të dobët. Kjo ka rrënuar strukturën”, tha Havari.
Ai tregoi edhe herë tjetër një rast kur kishte këshilluar një drejtor policie të largohej, pasi kishte informacion se ishte përfshirë në trafik. “Nuk më dëgjoi. Ndryshoi pushteti, e rehabilituan, e dërguan në Vlorë dhe atje u mor me trafik. Sot është në burg.”
“Rama duhet të dalë të flasë: Nuk është çështje politike, por e drejtësisë”
Në mbyllje, Havari theksoi se kryeministri duhet të jetë i qartë para qytetarëve: drejtësia është e pavarur, vendimet e saj zbatohen, dhe askush – as Balluku – nuk duhet mbrojtur.
“Ka mjaft probleme në vend: varfëri, largimet masive, situatë ekonomike e vështirë. Në këtë realitet, zbatimi i ligjit duhet të jetë prioritet absolut”, përfundoi ai.
