Gjashtë prej anëtarëve të grupit të dyshuar për vrasje me pagesë dhe atentate mafioze u paraqitën sot në Gjykatën e Evelpidon në Athinë, në kuadër të hetimit për sulmet e rënda të kryera për llogari të klaneve kriminale greke. Ata akuzohen për përfshirje në kontrata vrasjeje, atentatin e dështuar ndaj Giannis Lalas në maj, si dhe ngjarje të tjera të rënda kriminale.
Giannis Lalas, i cili mbijetoi atentatin e parë, u vra një muaj më parë në një sulm tjetër në Greqi.
Grup i “Mafias Greke”, teknologji e avancuar dhe egërsi ekstreme
Sipas dosjes së përgatitur nga autoritetet greke — e quajtur “FBI-ja greke” për mënyrën e veprimit — grupi konsiderohet si një nga më të rrezikshmit e mafies greke: profesionistë, të ftohtë, të pajisur me teknologji survejimi dhe totalisht të pandjeshëm ndaj jetës njerëzore.
Katër prej të arrestuarve janë shqiptarë, dy grekë, ndërsa një i shtatë u prangos ditën e djeshme. Për një 48-vjeçar grek, konsideruar figurë kyçe e grupit, vijon kërkimi policor — ai përshkruhet si personi më misterioz dhe më i rëndësishëm në këtë skemë mafioze.
Ky 48-vjeçar, me origjinë nga Rethinho e Kretës, ka precedentë të rëndë penalë, përfshirë rrëmbim biznesmeni, grabitje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.
Kamera të fshehta për të monitoruar shënjestrat
Hetimet zbuluan se killerat përdornin metoda të sofistikuara vëzhgimi. Ata montuan kamera të fshehta në një furgon të parkuar pranë pikës së karburantit të Lalasit, duke monitoruar 24 orë lëvizjet e tij.
Kur Lalas doli nga karburanti më 16 maj, pamjet e kamerës u ndoqën në kohë reale nga atentatorët, të cilët e sulmuan me breshëri kallashnikovi.
- Personi që qëlloi ishte shqiptari 45-vjeçar i njohur me nofkën “Dimos”, një emër i njohur për autoritetet për vrasje dhe atentate.
- Në vendngjarje u gjetën rreth 50 gëzhoja kallashnikovi.
- As vrasësi nuk u përpoq të shmangte rrezikun për kalimtarët, duke qëlluar në një zonë të populluar.
Shpëtimi i vetëm i Lalasit ishte fakti që makina e tij ishte e blinduar.
Përpjekja e dytë dhe momenti i zbulimit
Vetëm 14 ditë më vonë, grupi tentoi ta gjurmonte sërish Lalas, po me të njëjtin furgon dhe të njëjtën kamerë.
Këtë herë një punonjës i pikës së karburantit dyshoi dhe njoftoi policinë, e cila zbuloi pajisjen e fshehtë të survejimit.
Grupi akuzohet edhe për një zjarrvënie të rëndë në Argyroupoli më 23 shkurt, ku një pikë karburanti u përfshi nga flakët duke rrezikuar banesat përreth.
Akuzat që rëndojnë mbi grupin shqiptaro-grek
Të pandehurit përballen me akuza të rënda:
- Vrasje me qëllim
- Tentativë vrasjeje në bashkëpunim
- Dëmtim të rrezikshëm trupor
- Organizatë kriminale
Ndërkohë, 48-vjeçari grek — i cili nuk është arrestuar ende — ka një listë të gjatë akuzash të mëparshme që përfshijnë vrasje, shantazh dhe veprimtari mafioze.
Vazhdimësia e kontrollit brenda qelive
Pavarësisht arrestimit të gjashtë prej tyre, autoritetet dyshojnë se grupi funksionon ende dhe se disa anëtarë kontrollojnë porositë dhe komunikimet edhe nga brenda burgut — duke treguar nivel të lartë organizimi dhe lidhje të forta me klanet e mafies greke.
