Këlliçi: Kushtetuesja duhet të pasqyrojë vullnetin e SPAK – Vjedhja 50 milionë euro e Ballukut është faktuar; Qëndrimi i saj në zyrë rrezikon provat

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka dhënë sot një deklaratë të fortë në studion e News24, ku foli për aksionin e opozitës lidhur me çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është pezulluar nga GJKKO për shkelje në tendera.

Këlliçi tha se opozita duhet të ruajë qëndrueshmëri dhe të intensifikojë aksionin politik, ashtu si në rastin e protestave ndaj Erion Veliajt një vit më parë.

“Rama do ketë të njëjtin fund politik si Veliaj”

“Do zgjidhja qëndrueshmërinë dhe persistencën. Edi Rama do ketë të njëjtin përfundim politik si Erion Veliaj. Opozita s’duhet të ndalë aksionin, duhet ta intensifikojë”, deklaroi Këlliçi, duke theksuar se PD duhet të gjejë çdo mënyrë për t’i çuar mesazhin qytetarëve.

Ai ftoi në një front të përbashkët edhe figura të tjera të politikës dhe shoqërisë civile, si Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj.

“Vendi i Ballukut në zyrë rrezikon provat”

Këlliçi u ndal më pas te çështja Balluku, duke e cilësuar aferën e saj si të provuar dhe me pasoja të rënda financiare.

“Sot është faktuar vjedhja e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë. Qëndrimi i Ballukut në zyrë rrezikon provat, ashtu siç kemi paralajmëruar edhe në rastin Veliaj për 44 javë. Çdo ditë mund të intimidohen dëshmitarët, mund të falsifikohen dokumente apo të zhduken prova”, tha ai.

Sipas deputetit demokrat, Balluku është e pandehur sepse ka zbatuar urdhrat e Ramës, ndaj sipas tij të dy janë të lidhur politikisht dhe ligjërisht në këtë aferë.

“Kushtetuesja s’ka rrugë tjetër – duhet të lërë në fuqi pezullimin”

Këlliçi deklaroi se Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të shqyrtojë çështjen të premten, nuk mund të marrë një vendim të ndryshëm nga ai i GJKKO.

“Vendimi i GJK duhet të pasqyrojë vullnetin e organit të akuzës. Përfshirja e Ballukut në aferë nuk ka më dyshime. Përmasat e skandalit nuk lejojnë një vendim tjetër”, u shpreh ai.

Reagimi i SHBA: Ndërhyrja në drejtësi është e papranueshme

Këlliçi përshëndeti deklaratën e ambasadës amerikane, e cila shprehu mbështetjen për pavarësinë e drejtësisë dhe dënoi çdo presion ndaj institucioneve.

Sipas tij, kjo mbështetje është një sinjal i rëndësishëm në momentin kur mazhoranca po tenton të kundërshtojë pezullimin e Ballukut.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related