Berisha shpërthen pas qëndrimit të Ramës: “Presion i paprecedentë ndaj Kushtetueses! Sulme të padëgjuara në historinë e vendit për të mbrojtur Ballukun”

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër sot ndaj kundërshtimit publik të kryeministrit Edi Rama për zbatimin e vendimit të GJKKO-së që pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Në një konferencë për media, Berisha akuzoi Ramën se po ushtron “presion të jashtëzakonshëm dhe antiligjor” mbi Gjykatën Kushtetuese, duke tentuar — sipas tij — të diktojë vendimin e kësaj gjykate në favor të Ballukut.

“Sulme të papara në historinë e vendit”

Berisha deklaroi se ndërhyrjet e Ramës ndaj Gjykatës Kushtetuese janë të “papara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë”, duke i cilësuar si kërcënime dhe tentativa për të sabotuar luftën kundër korrupsionit.

“Dënoj me forcën më të madhe presionin e jashtëzakonshëm, të padëgjuar kurrë më parë mbi Gjykatën Kushtetuese. Metoda antiligjore e antikushtetuese po përdoren për t’i diktuar kësaj gjykate vendimin e Edi Ramës, që kërkon të mbrojë veten dhe Ballukun nga skandali i 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë.”

Sipas tij, sjellja e qeverisë ndaj këtij vendimi ka krijuar një situatë të paprecedentë:

“Sulmet ndaj Kushtetueses nuk kanë ndodhur kurrë në këtë vend. Gjykata ka pranuar të shqyrtojë kërkesën në kushte presioni dhe i është krijuar kohë qeverisë për të vazhduar sulmet.”

Reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe përplasja me Ramën

Shoqata e Gjyqtarëve reagoi sot duke shprehur shqetësim për “presion publik” nga kryeministri ndaj vendimmarrjes së gjyqësorit.

Rama reagoi duke ironizuar deklaratën dhe duke thënë se shoqata “nuk di kuptimin e fjalës presion”.

Berisha e cilësoi këtë qëndrim një përpjekje për të delegjitimuar institucionet:

“Rama kërkon t’i imponojë Gjykatës Kushtetuese vullnetin e tij. Kjo është shkelje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve.”

Akuzat për manipulim të opinionit publik

Berisha kritikoi Ramën edhe për komentet e mëparshme, ku ky i fundit përmendi Komisionin e Venecias, duke i përdorur sipas tij në mënyrë të rreme:

“Rama gënjeu duke cituar Venecian. Ekspertët e hodhën poshtë. Komisioni nuk ka asnjë paragraf që ndalon pezullimin e një ministri; përkundrazi, e vlerëson pezullimin si akt kushtetues.”

Berisha: “Rama po mbron veten, Balluku do ta marrë me vete”

Ish-kryeministri tha se Rama është i kapur nga skandali dhe po përpiqet të shmangë përgjegjësinë:

“Ai ka vetëm hallin e tij personal. Por këtë hall e ka krijuar vetë. Ka urdhëruar Ballukun dhe ajo do ta marrë me vete. S’ka më mbrojtje për Ramën.”

Apel qytetarëve

Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të reagojnë:

“Populli shqiptar nuk do ta pranojë një turpërim të tillë. Vetëm guximi juaj mund të mbrojë demokracinë.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related