Një shtetas 40-vjeçar nga Kosova është ndaluar nga Policia Kufitare në pikën e kalimit Morinë, pasi rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet finlandeze për veprimtari të trafikut të drogës.
Gjatë kontrolleve rutinë në hyrje të territorit shqiptar, policia konstatoi se ndaj të dyshuarit Sh. H., banues në Kosovë, ishte lëshuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Prokuroria e Distriktit Jugor në Helsinki. Verifikimet u kryen në bashkëpunim me Interpol Tiranën, e cila konfirmoi se 40-vjeçari kërkohej për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Pas arrestimit të tij, autoritetet shqiptare nisën menjëherë procedurat ligjore për ekstradimin e të dyshuarit drejt Finlandës, ku pritet të përballet me drejtësinë.
Policia Kufitare thekson se kontrollet e shtuara në hyrje-dalje të vendit synojnë parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe kapjen e shtetasve që tentojnë t’i shmangen përgjegjësisë penale duke kaluar kufirin.
