Inflacioni bazë në Shqipëri u rrit sërish në tetor, duke shënuar nivelin më të lartë të dy viteve të fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues arriti në 3.13%, nga 3.07% që ishte në shtator, ndërsa një vit më parë ishte vetëm 2.19%.
Inflacioni bazë mat lëvizjen e çmimeve për një grup të qëndrueshëm mallrash e shërbimesh, pa përfshirë ushqimet dhe energjinë, të cilat kanë luhatshmëri të madhe.
Në të njëjtën linjë është rritur edhe inflacioni bazë neto, i cili përjashton më shumë kategori produktesh. Ky tregues u ngjit në 3.5%, nga 3.4% në shtator, ndjeshëm më lart se niveli 2% i një viti më parë. Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha ushqimet dhe energjinë arriti në 3.36%.
Nga ana tjetër, inflacioni total i ekonomisë, sipas INSTAT, ra lehtë në 2.3% nga 2.4% në shtator, por megjithatë mbetet më i lartë se niveli 1.9% i vitit të kaluar.
Kjo tregon se, edhe pse çmimet më të luhatshme nuk po rriten shumë, produktet e shportës bazë – ato që konsumojmë çdo ditë – po shtrenjtohen gradualisht.
Ku po rriten më shumë çmimet?
Banka e Shqipërisë thekson se presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, për shkak të:
- zgjerimit të aktivitetit ekonomik
- rritjes së kostove të punës
- situatës së ngushtë në tregun e punës
- rritjes së qirave
Kategoria e strehim–qirasë shënoi rritjen më të madhe, me inflacion mesatar 5.8% në tremujorin e tretë – rreth tre herë më shumë se mesatarja e vitit të kaluar.
Kontributi i saj në inflacionin total u rrit në 0.8 pikë përqindjeje (nga 0.3 pikë më herët).
Rritje shfaqën edhe:
- shërbimet e turizmit (hotele-restorante-kafene)
- shërbimet e mirëmbajtjes së shtëpisë
- arsimi
- mallrat afatgjatë të konsumit
Çfarë po ndodh me presionet nga jashtë?
Ndryshe nga ekonomia e brendshme, presionet inflacioniste nga jashtë janë të dobëta.
Kjo ndodh për shkak të:
- çmimeve relativisht të ulëta të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare
- mbiçmimit të lekut, që e bën importin më të lirë
Kjo është edhe arsyeja pse inflacioni total mbetet ende nën objektivin zyrtar, pavarësisht rritjes së çmimeve në shërbime dhe sektorë të brendshëm kyç.
